Një skuqje e dukshme në qafën e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka ngjallur diskutime dhe shqetësime për gjendjen e tij shëndetësore pas një konference për shtyp të mbajtur në Shtëpinë e Bardhë.
Një fotografi e shpërndarë nga agjencia AFP tregon një njollë të kuqërremtë në anën e djathtë të qafës së tij, pas veshit. Shenja ishte vënë re edhe më herët gjatë një aktiviteti publik në Gjeorgji, duke shtuar spekulimet në rrjetet sociale.
Debati mbi shëndetin e Trump është shtuar edhe për shkak të moshës së tij, pasi ai është 79 vjeç dhe konsiderohet presidenti më i vjetër që ka marrë detyrën. Për më tepër, dihet se ai merr aspirinë çdo ditë dhe ka vuajtur nga pamjaftueshmëri kronike venoze, faktorë që mund të ndikojnë në shfaqjen e skuqjeve ose mavijosjeve në lëkurë.
Megjithatë, mjeku i tij personal, Sean Barbarella, sqaroi për CNN se skuqja është pasojë e përdorimit të një kremi për trajtimin parandalues të lëkurës, të aplikuar në anën e djathtë të qafës. Sipas tij, bëhet fjalë për një procedurë të zakonshme që do të vazhdojë për rreth një javë, ndërsa skuqja mund të zgjasë për disa javë.
Barbarella theksoi se trajtimi nuk lidhet me ndonjë sëmundje të rëndë, por nuk dha detaje të mëtejshme mbi arsyen e përdorimit të kremit. Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë pyetjeve të mediave për këtë çështje.
Ky episod ka rikthyer në vëmendje edhe rastet e mëparshme kur Trump është shfaqur me mavijosje në duar, të cilat ai i ka lidhur me përdorimin e dozave të larta të aspirinës për parandalimin e problemeve kardiake.
