Reshjet e dendura dhe shkarkimet e kontrolluara nga hidrocentralet në kaskadën e lumit Drin kanë sjellë rritje të niveleve të ujit në qarkun e Shkodrës, duke përmbytur sërish zonën e Obotit.
Sipas njoftimit të Prefekturës së Qarkut Shkodër, prezenca e ujit është konstatuar kryesisht në tokat bujqësore, duke zgjeruar sipërfaqen e përmbytur, por pa rrezik për banesat deri në këto momente.
Aksi rrugor që lidh fshatin Obot me rrugën kryesore është mbuluar nga 40 deri në 50 centimetra ujë, duke e bërë të vështirë kalimin për mjetet e vogla.
Shkarkime të kontrolluara nga KESH
Korporata Elektroenergjike Shqiptare (KESH) ka bërë të ditur se, pas monitorimit të prurjeve, kanë nisur shkarkimet e kontrolluara nga hidrocentralet e Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës. Si pasojë, është konstatuar rritje e niveleve të lumenjve Drin dhe Bunë, si dhe të Liqenit të Shkodrës.
Në terren ndodhen 10 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 2 mjete të kalueshmërisë së lartë, të gatshëm për çdo emergjencë.
Probleme edhe në zonat malore
Situata paraqitet e vështirë edhe në akset malore:
- Aksi Bogë–Theth vijon të ndikohet nga reshje intensive bore; Qafa e Thorës mbetet e bllokuar për shkak të orteqeve.
- Në aksin Hani i Hotit–Vermosh ka reshje të dendura dëbore mbi kuotën 1000 metra dhe qarkullimi kryhet vetëm me goma dimërore dhe me asistencë të mjeteve borëpastruese.
Ndërkohë, bashkitë Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Pukë dhe Fushë-Arrëz nuk raportojnë problematika. Strukturat e mbrojtjes civile vijojnë monitorimin e situatës në terren.
