Deputeti i Partisë Demokratike, Ivi Kaso, ka reaguar ndaj propozimit të Partisë Socialiste për ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, duke e cilësuar nismën jo si ndërhyrje teknike, por si një operacion politik në mbrojtje të kupolës qeveritare.
Në një reagim publik, Kaso thekson se përjashtimi nga masa e pezullimit i Presidentit, Kryeministrit, zëvendëskryeministrit dhe ministrave krijon një kastë të privilegjuar zyrtarësh që, edhe nëse hetohen për vepra penale, do të vijojnë të qëndrojnë në detyrë pa kufizime.
Sipas tij, pezullimi nuk është dënim, por një masë mbrojtëse për integritetin e hetimit. Heqja e kësaj mase, argumenton deputeti demokrat, është një sinjal se pushteti kërkon të vendoset mbi ligjin dhe të shmangë mekanizmat e kontrollit.
Kaso shton se ndryshimi i rregullave në mes të proceseve hetimore për çështje të korrupsionit në nivele të larta nuk përbën reformë, por përpjekje për të mbrojtur zyrtarë konkretë nga pasojat ligjore.
Në përfundim, ai thekson se Shqipëria ka nevojë për institucione të forta dhe drejtësi të pavarur nga presioni politik, dhe jo për një kryeministër apo qeveri të paprekshme nga ligji.
