Një aksident tragjik në Loutsa të Greqisë i mori jetën 16-vjeçarit shqiptar Eljon Metaj dhe la të plagosur dy bashkëmoshatarë të tij, ndërsa rrethanat e ngjarjes vijojnë të hetohen.
Nëna e 15-vjeçarit që dyshohet se drejtonte automjetin ka mohuar që djali i saj të ketë qenë në timon në momentin e aksidentit, duke deklaruar se ai nuk dinte të ngiste makinën. Ajo tregoi se i biri ndodhet në gjendje shoku dhe se e kishte telefonuar e tronditur pas ngjarjes.
Ndërkohë, një shok klase i 15-vjeçarit ka rrëzuar këtë version, duke pohuar se ai kishte drejtuar makinën edhe më parë pa dijeninë e nënës. Sipas tij, i mituri kishte mësuar të ngiste automjetin nga babai dhe kishte marrë edhe herë të tjera çelësat kur e ëma ndodhej në punë.
Aksidenti ndodhi më 13 shkurt, në kryqëzimin e rrugëve “Dimokratias” dhe “Sotiros” në Loutsa. Sipas hetimeve paraprake, automjeti ka lëvizur me shpejtësi të lartë, ka humbur kontrollin dhe është përplasur me një pemë.
Autoritetet greke po vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht dinamikën e aksidentit fatal.
