Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka intensifikuar hetimet ndaj zëvendëskryeministres së pezulluar Belinda Balluku, duke hyrë në një fazë të re me marrjen në pyetje të një sërë biznesmenësh që kanë përfituar fonde publike përmes tenderave të ndërtimit të Unazës së Madhe.
Sipas burimeve pranë hetimit, veprimet procedurale janë ndërmarrë menjëherë pas kontrolleve të ushtruara në disa kompani, ku janë sekuestruar telefona celularë dhe pajisje kompjuterike. Një pjesë e tyre është kqyrur, ndërsa të tjera janë dërguar për ekspertim në laboratorin kibernetik pranë SPAK.
Biznesmeni i parë që është paraqitur për të dëshmuar ka qenë Ram Geci, i cili u mor në pyetje nga oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit javën e kaluar. Në pritje të fletë-thirrjeve janë edhe disa biznesmenë të tjerë që, sipas hetimeve paraprake, kanë pasur komunikime apo takime me Ballukun gjatë kohës që ajo drejtonte Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Lista e personave që pritet të thirren për dëshmi përfshin emra si: Sindi Dushku, Sadik Ismailaj (“Alb-Star”), Pëllumb Salillari, Ilir Shtufi, Gëzim Dani, Paqsor Buzi, Ylli Senka, Kujtim Arifaj, Bledar Starova, Eduart Çohadari, Ardit dhe Iljan Metaliaj, Çuman Sejdiaj, Gramos Dalipi, Bledar Lloshi, Giovanni Pascale, Vladimir Pjetërgjokaj, Enea Kaçi, Basri Troci, Besmir Çako, Ervis Toska, Ergys Senka, Spartak Demiraj, Leonard Proko, Arbër Abazi dhe Artan Sako.
Burime pranë prokurorisë bëjnë me dije se këta persona dyshohet se kanë përfituar tendera në periudhën kur ministria drejtohej nga Balluku, ndërsa në disa raste po verifikohet nëse ka pasur paracaktim të loteve për punimet e Unazës së Madhe. Aktualisht, asnjë prej tyre nuk është marrë zyrtarisht nën hetim.
Ndaj Belinda Ballukut, SPAK ka ngritur akuza për paracaktim të fituesit në tenderin e Tunelit të Llogarasë si dhe për shkelje në shtatë procedura që lidhen me projektin e Unazës së Madhe. Më 31 tetor, ndaj saj u vendos masa e ndalimit të daljes jashtë shtetit dhe pezullimi nga detyra.
Pas përplasjes institucionale me qeverinë në Gjykatën Kushtetuese, SPAK ka kërkuar nga Kuvendi autorizimin për arrestimin e saj. Kërkesa mbetet ende në pritje për shqyrtim nga Këshilli i Mandateve.
