Një grup prej 30 deputetësh të Parlamentit të Zvicrës kanë nënshkruar një rezolutë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila do të dorëzohet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Rezoluta pritet të dorëzohet nga aktivisti Sali Bislimi, ndërsa në të kërkohet që procesi gjyqësor ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së të jetë i drejtë, i paanshëm dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare të drejtësisë.
Deputetët zviceranë, të cilët vijnë nga parti të ndryshme politike, theksojnë nevojën për barazi përpara ligjit dhe respektim të të drejtave të të akuzuarve gjatë gjithë procesit gjyqësor.
Kërkesa vjen në një moment kyç të procesit në Hagë, ku Prokuroria ka kërkuar dënimin me nga 45 vite burg për secilin prej katër ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – duke e çuar totalin e viteve të kërkuara në 180.
Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të cilat pretendohet se janë kryer gjatë viteve 1998-1999 në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë. Të katër të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm dhe ndodhen në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020.
Procesi gjyqësor është në fazën përfundimtare, pasi palët kanë paraqitur deklaratat përmbyllëse. Trupi gjykues pritet të tërhiqet për vendim pas përfundimit të kësaj faze, ndërsa sipas procedurave, vendimi mund të shpallet brenda tre muajve.
Rezoluta e deputetëve zviceranë konsiderohet një sinjal mbështetjeje politike dhe morale, në një kohë kur çështja në Hagë vazhdon të mbetet një nga temat më të ndjeshme për opinionin publik në Kosovë dhe më gjerë.
