Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka bërë thirrje për demilitarizimin e plotë dhe të menjëhershëm të Hamasit, si pjesë e një plani që synon përfundimin e luftës në Gaza dhe stabilizimin e territorit palestinez.
Në një reagim publik, Trump theksoi se është thelbësore që Hamasi të respektojë angazhimin për çarmatim, ndërsa paralajmëroi se më 19 shkurt në Uashington do të shpallet zyrtarisht një fond prej 5 miliardë dollarësh për rindërtimin e Gazës. Fondi do të sigurohet nga vendet anëtare të ashtuquajturit “Këshilli i Paqes”.
Sipas planit të propozuar, faza e dytë parashikon tërheqjen graduale të Izraelit nga territori, çarmatimin e Hamasit dhe vendosjen e një force ndërkombëtare stabilizimi për garantimin e sigurisë.
“Këshilli i Paqes”, i prezantuar në Davos, synon të ndërhyjë në zgjidhjen e konflikteve të armatosura në nivel global. Deri tani, të paktën 19 vende kanë nënshkruar statutin themelues, ndërsa disa shtete kanë shprehur rezerva për mënyrën e funksionimit të tij.
Ndërkohë, situata në terren mbetet e tensionuar. Ushtria izraelite vazhdon të kontrollojë pjesë të konsiderueshme të territorit, ndërsa Hamasi ka refuzuar të dorëzojë armët sipas kushteve të paraqitura. Palët kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit që hyri në fuqi në tetor.
Sipas Trump, fondi prej 5 miliardë dollarësh do të përdoret për rindërtim dhe për krijimin e strukturave të sigurisë lokale, me mbështetjen e një force ndërkombëtare, me synimin për të garantuar stabilitet afatgjatë për banorët e Gazës.
