Një aksident rrugor është regjistruar pasditen e sotme në aksin kombëtar Peqin–Elbasan, në fshatin Përparim, bashkia Peqin. Dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën dhe si pasojë e goditjes së fortë, një autoveturë tip “Benz” ka dalë nga rruga duke përfunduar në një kanal anësor.
Nga përplasja, të dy mjetet kanë pësuar dëme të konsiderueshme materiale. Ende nuk ka një njoftim zyrtar mbi gjendjen shëndetësore të drejtuesve apo pasagjerëve të përfshirë në aksident.
Sipas të dhënave paraprake, reshjet e dendura të shiut në zonë mund të kenë ndikuar në vështirësimin e qarkullimit dhe humbjen e kontrollit të mjeteve. Policia dhe shërbimet e emergjencës kanë mbërritur në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
