Një zhvillim i papritur ka ndodhur vetëm 24 orë përpara Asamblesë së Përgjithshme Zgjedhore të Federatës Shqiptare të Futbollit. Abdyl Kuriu, anëtar i Komitetit Ekzekutiv që prej vitit 2010, ka vendosur të tërhiqet nga gara për një mandat të ri.
Në një njoftim publik, Kuriu bëri të ditur se pas 16 vitesh angazhimi në këtë strukturë, ka zgjedhur të mos kandidojë më, duke theksuar se e merr këtë vendim me qetësi dhe bindjen se ka dhënë kontributin e tij maksimal për futbollin shqiptar.
Ai falënderoi bashkëpunëtorët, drejtuesit e klubeve, shoqatat dhe komunitetin sportiv për mbështetjen ndër vite, ndërsa i uroi suksese presidentit Armand Duka dhe kandidatëve të tjerë për Komitetin Ekzekutiv.
Me tërheqjen e tij, gara për 10 vendet e Komitetit Ekzekutiv (11 së bashku me presidentin) pritet të zhvillohet pa një nga figurat me përvojën më të gjatë në drejtimin e federatës. Kuriu theksoi se do të vijojë të mbetet i lidhur me futbollin dhe i gatshëm të kontribuojë në çdo rol ku mund të jetë i dobishëm.
