NATO: Shqipëria dhe Kroacia forcojnë stabilitetin në rajon

Data

Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmilla Shekerinska, deklaroi se Shqipëria dhe Kroacia janë aleate të çmuara që kontribuojnë drejtpërdrejt në paqen dhe stabilitetin rajonal, duke komentuar bashkëpunimin e tyre në fushën e mbrojtjes me Kosovën.

Sipas saj, të dy vendet jo vetëm që janë anëtare aktive të NATO-s, por kanë edhe rol të rëndësishëm në misionin e KFOR, duke mbështetur sigurinë në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor. Ajo theksoi se NATO nuk merr pjesë në marrëveshje dypalëshe apo trepalëshe të mbrojtjes, por anëtarësimi në aleancë nuk i pengon shtetet të zhvillojnë bashkëpunime shtesë me partnerë të tjerë.

Deklarata për bashkëpunim në siguri dhe mbrojtje mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, e nënshkruar vitin e kaluar, ka nxitur reagime nga Beogradi. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, e cilësoi këtë iniciativë si një “aleancë sulmuese”, duke paralajmëruar rritje të investimeve në mbrojtje nga ana e Serbisë.

Nga ana tjetër, ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anušić, sqaroi se bashkëpunimi nuk përbën kërcënim për asnjë shtet dhe synon vetëm forcimin e sigurisë në Evropën Juglindore. Edhe ministri shqiptar i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka deklaruar më herët se Serbia është ftuar të bëhet pjesë e nismës, por nuk ka dhënë përgjigje.

Shekerinska ritheksoi gjithashtu mbështetjen e NATO-s për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, si rruga e vetme për normalizimin e marrëdhënieve dhe garantimin e stabilitetit afatgjatë në rajon.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related