Administrata Tatimore ka vënë në dispozicion të qytetarëve shërbimin elektronik “Tax Test”, për të ndihmuar individët të kuptojnë nëse kanë detyrim për të plotësuar Deklaratën Individuale të të Ardhurave (DIVA) për vitin 2025.
Përmes një pyetësori të thjeshtë online, çdo individ – rezident apo jorezident – mund të marrë përgjigje në kohë reale nëse është subjekt deklarimi. Shërbimi nuk kërkon hyrje me fjalëkalim, pasi nuk përfshin të dhëna konfidenciale.
Individët duhet të përgjigjen për:
- Statusin e rezidencës;
- Nivelin e të ardhurave vjetore (mbi ose nën 1.2 milionë lekë);
- Nëse kanë pasur më shumë se një punë gjatë vitit;
- Nëse kanë realizuar të ardhura të tjera për të cilat nuk është mbajtur tatim në burim.
Sipas ligjit të ri, afati për deklarimin dhe pagesën e DIVA 2025 është 31 mars 2026.
Subjekt deklarimi janë individët që:
- Kanë realizuar të ardhura bruto vjetore 1.2 milionë lekë ose më shumë nga të gjitha burimet;
- Kanë qenë të dypunësuar për të paktën një muaj gjatë vitit;
- Kanë përfituar mbi 50 mijë lekë të ardhura për të cilat nuk është mbajtur tatim (si qira ditore apo të ardhura nga platforma si Booking dhe Airbnb).
Edhe individët që nuk kanë detyrim ligjor mund ta plotësojnë deklaratën për të përfituar rimbursime tatimore. Përfitimet përfshijnë rreth 6200 lekë kompensim ushqimor për çdo fëmijë në ngarkim dhe deri në 13 mijë lekë në vit për shpenzime arsimore.
