Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi në hapje të Konferencës së Sigurisë në Mynih se rendi global i ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore “nuk ekziston më siç ishte”, duke theksuar se bota është rikthyer në një epokë të fuqive të mëdha dhe rivaliteteve të hapura.
Duke iu referuar agresionit rus ndaj Ukrainës, Merz theksoi se Evropa duhet të përballet me realitetin e ri gjeopolitik, ku liria dhe siguria nuk janë më të garantuara automatikisht. “Në epokën e fuqive të mëdha, liria jonë nuk është më thjesht e garantuar”, u shpreh ai, duke kërkuar vendosmëri, sakrifica dhe shfrytëzim të plotë të potencialit ushtarak, politik, ekonomik dhe teknologjik të Bashkimit Evropian.
Merz pranoi gjithashtu se ekziston një përçarje mes SHBA-së dhe BE-së, duke përmendur ndryshimet në qasje politike dhe tensionet e fundit transatlantike. Ai theksoi se Gjermania nuk do të veprojë e vetme dhe përjashtoi çdo “fantazi hegjemonike”, duke nënvizuar rëndësinë e aleancave.
Kancelari bëri të ditur se ka nisur bisedime konfidenciale me presidentin francez Emmanuel Macron për çështje të parandalimit bërthamor evropian, ndërsa prezantoi një “program lirie” me katër shtylla: forcimin e kapaciteteve ushtarake, ekonomike dhe teknologjike të Evropës, një BE më sovrane, partneritet të ripërtërirë me SHBA-në dhe zgjerim të bashkëpunimit me partnerë globalë si Kanadaja, Japonia, India dhe Brazili.
