Paratë me kusht nga Brukseli – BE i jep “gjysmën” Serbisë, reformat e bllokuara i kushtojnë miliona

Data

Komisioni Evropian ka vendosur të zhbllokojë vetëm pjesërisht fondet për Serbinë nga Plani i Rritjes, duke i dërguar Beogradit 57 milionë euro, shumë kjo dukshëm më e ulët nga ajo që ishte parashikuar fillimisht.

Pagesa vjen pas një vonese prej shtatë muajsh dhe lidhet me reformat e zbatuara në gjysmën e dytë të vitit 2024. Nga 112 milionë euro që Serbia mund të përfitonte për këtë periudhë, ajo mori vetëm rreth 50%, pasi përmbushi vetëm 3 nga 7 hapat reformues të kërkuar nga Bashkimi Evropian.

Sipas vlerësimit të Komisionit Evropian, autoritetet serbe dështuan të zbatojnë në kohë reformat kyçe që lidhen me:

•ligjet për median,

•rishikimin e listës së votuesve sipas rekomandimeve të ODIHR-it,

•zgjedhjen e Këshillit të ri të REM-it (rregullatori i medias).

Në anën tjetër, Brukseli vlerësoi progres në fusha si energjia, dixhitalizimi, siguria e rrjetit 5G dhe përafrimi me politikën e vizave të BE-së.

Serbia kishte përfituar më herët edhe rreth 111 milionë euro si parafinancim në qershor 2024, por pavarësisht kësaj, ajo mbetet prapa vendeve të tjera të rajonit në thithjen e fondeve të lidhura drejtpërdrejt me reformat.

Të dhënat e Komisionit tregojnë se nga 18 hapa reformash të parashikuar për vitin 2024 dhe gjysmën e parë të vitit 2025, Serbia realizoi vetëm tre, duke përfituar 57 milionë euro nga 269 milionë të mundshme.

Mesazhi i Brukselit është i qartë: “Reforma së pari, pastaj paratë.” Fondet që nuk shfrytëzohen brenda afateve mund të humbasin përfundimisht.

Për të përfituar shumën totale prej 1.588 miliardë eurosh deri në vitin 2027, Serbia duhet të zbatojë 98 masa reformash që prekin ekonominë, tranzicionin e gjelbër dhe dixhital, kapitalin njerëzor, sundimin e ligjit, standardet demokratike dhe angazhimin konstruktiv në dialogun me Prishtinën.

Në të kundërt, “çezma” e fondeve europiane do të vijojë të hapet vetëm me pikatore.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related