Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur pasditen e së premtes në Loutsa të Greqisë, ku një 15-vjeçar ka humbur jetën dhe dy bashkëmoshatarë të tij kanë mbetur të plagosur.
Sipas mediave greke, ngjarja ndodhi në kryqëzimin e rrugëve “Dimokratias” dhe “Sotiros”. Njëri prej të miturve dyshohet se kishte marrë fshehurazi çelësat rezervë të automjetit të nënës së tij dhe po lëvizte me shpejtësi të lartë, kur humbi kontrollin e mjetit dhe u përplas me një pemë.
Përplasja rezultoi fatale për 15-vjeçarin, i cili ndërroi jetë në vend. Dy të miturit e tjerë u transportuan në Spitalin e Fëmijëve “Aglaia Kyriakou”, ku po kryejnë ekzaminimet e nevojshme. Mjekët dyshojnë për dëmtime në kokë, ndërsa ata do të mbahen nën kujdesin e klinikës kirurgjikale.
Sipas raportimeve, njëri prej të miturve në automjet është me origjinë shqiptare. Dëshmitarë në vendngjarje thanë se pas aksidentit shoferi i mitur dëgjohej duke bërtitur: “Çfarë bëra unë”, ndërsa ambulancat mbërritën menjëherë për të dhënë ndihmën e parë.
Autoritetet greke po hetojnë rrethanat e plota të aksidentit.
