Anëtari i Kryesisë së PD, Grigels Muçollari, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për standard të dyfishtë në raport me drejtësinë, duke deklaruar se arrestimet dhe hetimet ndaj zyrtarëve të lartë po zvarriten për shkak të presionit politik.
Sipas tij, qeveria ka ashpërsuar penalizimet për qytetarët e zakonshëm për shkelje të vogla si ndërtimet pa leje, lidhjet e paligjshme apo parkimi i gabuar, ndërsa kur hetimet afrohen te nivelet e larta të pushtetit, retorika ndryshon dhe paraburgimi paraqitet si problem.
Muçollari theksoi se drejtësia duhet të jetë e barabartë për të gjithë dhe e pakompromis ndaj zyrtarëve që abuzojnë me pushtetin. Ai iu referua edhe rastit të Belinda Ballukut, duke shtuar se çdo tentativë për të mbrojtur figura të larta politike dëmton besimin e qytetarëve te sistemi i drejtësisë.
