Alarm për shfrytëzimin seksual online të të miturve, policia: 655 raporte vetëm në janar

Data

Rastet e shfrytëzimit seksual të të miturve në internet po shënojnë rritje shqetësuese. Në kuadër të Javës së Internetit të Sigurt, Policia e Shtetit, përmes Drejtorisë së Hetimit të Krimit Kibernetik, ka bërë apel për më shumë kujdes nga prindërit dhe kujdestarët.

Sipas të dhënave të siguruara në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare për Fëmijët e Zhdukur dhe të Shfrytëzuar (NCMEC), gjatë vitit 2025 janë referuar 5 707 raporte për materiale me përmbajtje të shfrytëzimit seksual të të miturve, mesatarisht rreth 475 raste në muaj. Vetëm në janar 2026 janë administruar 655 raporte, duke treguar një rritje të ndjeshme të fenomenit.

Policia apelon që prindërit të monitorojnë aktivitetin online të fëmijëve, të komunikojnë hapur për rreziqet e internetit dhe të përdorin mjete sigurie në pajisjet elektronike. Gjithashtu, kërkohet që të mos shpërndahen apo ripostohen materiale të papërshtatshme që cenojnë privatësinë e të miturve.

Sipas autoriteteve, përmbajtjet e paligjshme identifikohen përmes teknologjive të specializuara dhe të dhënat e poseduesve apo shpërndarësve i referohen Policisë për ndjekje ligjore.

Policia thekson se mbrojtja e fëmijëve në hapësirën digjitale është përgjegjësi e përbashkët dhe kërkon bashkëpunim mes institucioneve, prindërve dhe komunitetit për të garantuar siguri më të lartë online.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related