Grabitja e një dege të FiBank nga 61-vjeçari Bardhyl Fusha, i cili arriti të marrë 8 milionë lekë të vjetra para se të arrestohej, ka ngritur pikëpyetje serioze mbi masat e sigurisë në institucionet bankare.
Eksperti i sigurisë Fatjon Softa e cilësoi ngjarjen si një sinjal alarmi, duke theksuar se edhe një person jo profesionist arriti të hyjë i armatosur në ambientet e bankës, çka sipas tij tregon dështim të sistemit të kontrollit në hyrje-dalje.
Ai nënvizoi se bankat, ashtu si gjykatat, prokuroritë dhe burgjet, janë elementë të sigurisë kombëtare dhe duhet të trajtohen si të tilla. Sipas Softës, çdo bankë duhet të ketë sistem me dyer të kontrolluara, ku njëra mbyllet para se të hapet tjetra, si dhe pajisje detektimi metalik për të penguar hyrjen e personave të armatosur.
Eksperti deklaroi se ka testuar vetë më herët masat e sigurisë duke hyrë i armatosur në një bankë për të verifikuar reagimin e sistemit, duke shtuar se në rastin konkret fakti që autori arriti të futet me armë tregon qartë se procedurat nuk kanë funksionuar siç duhet.
Ngjarja, sipas tij, duhet të shërbejë për rishikim urgjent të protokolleve të sigurisë në të gjitha institucionet financiare të vendit, për të shmangur rreziqe edhe më të mëdha në të ardhmen.
