Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, iu përgjigj kritikëve që e akuzojnë se po njollos Shqipërinë në arenën ndërkombëtare, duke deklaruar se ai po mbron interesat e qytetarëve.
Në një dalje për mediat, Berisha ironizoi sërish afrimin e kryeministrit Edi Rama me ish-deputetin demokrat Dashnor Sula, duke përdorur shprehjen “puthuni me Dash Sulën” për kundërshtarët e tij.
Ai e cilësoi Ramën si “armikun më të rrezikshëm të kombit shqiptar” dhe e akuzoi për dëmtim të imazhit të vendit. Sipas Berishës, Rama është përballur me izolim diplomatik, duke pretenduar se nuk është lejuar të marrë pjesë në forume ndërkombëtare si Forumi i Davosit dhe Konferenca e Sigurisë në Mynih.
Berisha tha se protestat e opozitës kanë ndikuar në sensibilizimin ndërkombëtar dhe i konsideroi zhvillimet e fundit si pjesë të përpjekjes për rikthimin e rendit kushtetues në vend.
