Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka ftuar qytetarët të marrin pjesë në protestë në ditën kur Kuvendi do të mblidhet për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku, për të cilën kërkohet arrestimi.
Në një deklaratë për mediat, Bardhi akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka tentuar për më shumë se dy muaj të mbrojë Ballukun, duke e cilësuar këtë si një përpjekje për të mbrojtur veten.
“Jemi dëshmitarë që për gati dy muaj e gjysmë, Rama tentoi të ishte zyra e avokatisë së Ballukut. Dhe siç dukej, nuk kishte mbetur asgjë tjetër veç shkarkimit të saj. Deklarata të tilla janë sinjale të asaj që ka thënë PD, se Rama po mbron veten e tij, jo vetëm Ballukun. Vërtetohet se ai është në dosjen e SPAK-ut. Ai po mbahet peng nga Balluku, sepse nëse ajo shkon në burg, do të shkojë edhe ai pas saj,” tha Bardhi.
Sipas tij, refuzimi i kërkesës së SPAK do të ishte një moment i rëndë për demokracinë dhe do të vinte në pikëpyetje ekzistencën e shtetit ligjor.
“Ndaj, sot dua që përmes kësaj konference për shtyp të njoftoj se ditën kur Kuvendi të shqyrtojë mandatin apo imunitetin e Ballukut, PD do të thërrasë në protestë qytetarët para selisë së Kuvendit,” deklaroi ai.
Bardhi paralajmëroi se nëse Kuvendi refuzon kërkesën e SPAK-ut, qytetarët do ta konsiderojnë institucionin si një “bunker ku janë strehuar të korruptuarit”.
“Nëse shkon skenari i refuzimit të kërkesës së SPAK-ut, qytetarët do ta trajtojnë Kuvendin si bunker ku janë strehuar të korruptuarit. Ditën kur Kuvendi shqyrton kërkesën për mandatin, qytetarët janë të ftuar në protestë para selisë së Kuvendit. Që nga ai moment, nëse mbahet qëndrim pro Ballukut, ai institucion do të quhet bunker i të korruptuarve,” u shpreh Bardhi.
