Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë, duke e cilësuar Shqipërinë si “narkoshteti i parë në Evropë” dhe duke e krahasuar situatën në vend me Meksikën për shkak të, sipas tij, lidhjeve të pushtetit me trafikun ndërkombëtar të drogës.
Në një intervistë televizive, Këlliçi deklaroi se termi “narkoshtet” nuk është përdorur fillimisht nga opozita, por nga media ndërkombëtare, duke përmendur një artikull të medias amerikane “VICE” në vitin 2016. Sipas tij, që nga ajo kohë Partia Demokratike ka denoncuar me fakte dhe akuza konkrete lidhjet mes politikës dhe krimit të organizuar.
“Rilindja është një mashtrim i madh, me të vetmin qëllim vjedhjen e parave të qytetarëve shqiptarë dhe pasurimin e një grupi të vogël njerëzish në kurriz të tyre,” u shpreh ai, duke shtuar se fenomeni i kanabizimit gjatë mandatit të parë të qeverisë Rama ka ndikuar në imazhin ndërkombëtar të vendit.
Këlliçi ngriti gjithashtu shqetësimin për krizën demografike, duke theksuar se niveli i lindshmërisë ka rënë nën shifrat e vitit 1990. Sipas tij, emigracioni masiv i të rinjve është pasojë e mungesës së perspektivës dhe korrupsionit në nivelet më të larta të qeverisjes.
Ai akuzoi mazhorancën për bllokimin e ngritjes së komisioneve hetimore në Kuvend, duke e cilësuar këtë si shkelje të të drejtës kushtetuese të opozitës. “Me forcën e kartonëve po refuzojnë çdo kërkesë të opozitës,” tha Këlliçi, duke shtuar se parlamenti nuk po funksionon si institucion kontrolli.
Në përfundim, deputeti demokrat bëri thirrje për reagim qytetar, duke e konsideruar situatën aktuale si të papranueshme dhe duke theksuar se, sipas tij, Shqipëria po përballet me një krizë të thellë politike dhe sociale.
