Një kompani private ka aplikuar për autorizim për ngritjen e një linje prodhimi të eksplozivëve për përdorim civil në Poliçan. Sipas dokumenteve zyrtare, EXPLO-CHEM INDUSTRIES Shpk ka lidhur që në gusht 2024 një kontratë qiraje me Bashkinë e Poliçanit për zhvillimin e aktivitetit në zonën “Ish Uzina Mekanike, Zona B”.
Kompania synon të prodhojë lëndë plasëse për sektorë si minierat e kromit, hekurit dhe bakrit, hapjen e tuneleve, ndërtimin e puseve dhe industrinë e materialeve ndërtimore. Sipas saj, prodhimi vendas do të ulë varësinë nga importet dhe kostot për bizneset.
Shoqëria është regjistruar në QKB në gusht 2024 dhe ka si aksionerë Devrim Gülsuna (10%), Novak Cetkovic (40%) dhe EKSPLO-ALB (50%).
Zona e Poliçanit lidhet edhe me aktivitetin e KAYO SH.A., kompani shtetërore e themeluar në 2024 dhe në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, e cila ka trashëguar kapacitetet e ish-uzinave të prodhimit ushtarak në vend.
