Dy shtetase të huaja, njëra nga Kazakistani dhe tjetra nga Turqia, janë arrestuar nga Policia e Fierit, pasi dyshohet se ushtronin prostitucion në një banesë të marrë me qira në qytet.
Sipas njoftimit zyrtar, operacioni u zhvillua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve në DVP Fier, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, pas hetimeve të kryera me metoda speciale.
Në pranga u vunë shtetaset Y.Y., 30 vjeçe, banuese në Kazakistan, dhe A.A., 31 vjeçe, banuese në Turqi. Sipas policisë, ato kishin përshtatur banesën e marrë me qira për ushtrimin e aktivitetit të paligjshëm.
Gjatë kontrollit, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2,800 euro dhe 29,000 lekë, që dyshohet se janë përfituar nga kjo veprimtari, si dhe 5 telefona celularë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprat penale “Prostitucioni” dhe “Mbajtja e lokaleve për prostitucion”.
