Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka pranuar pjesërisht ankimimin e Ardit Keros, duke shfuqizuar një pjesë të vendimit për sekuestrimin e llogarive të tij bankare.
Kero, i përfshirë në dosjen hetimore ndaj kompanisë “Bankers Petroleum”, ishte lënë në masën e sigurisë “arrest shtëpie” në muajin gusht nga Gjykata e Fierit, pas operacionit të zhvilluar ndaj kompanisë për dyshime mbi evazion fiskal dhe skema mashtruese me TVSH-në.
Sipas vendimit të shpallur më 12 shkurt 2026 nga gjyqtarja Igerta Hysi, Apeli vendosi:
- Pranimin pjesërisht të kërkesës së shtetasit A.K.;
- Shfuqizimin e pjesshëm të vendimit për sekuestrimin e disa llogarive bankare në lekë, euro dhe dollarë;
- Kthimin e shumave monetare të sekuestruara në këto llogari;
- Lënien në fuqi të pjesës tjetër të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Fier.
Sipas hetimeve të nisura në dhjetor 2024 nga Drejtoria e Hetimit Tatimor, kompania “Bankers Petroleum” dyshohet se për rreth 20 vite ka raportuar humbje të vazhdueshme, duke shmangur detyrimet tatimore dhe duke përfituar rimbursime të paligjshme të TVSH-së në vlera miliona euro.
Vendimi i Apelit mund të ankimohet në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve nga njoftimi zyrtar.
