Seanca plenare është përfshirë nga tensione të forta, ndërsa deputetët e opozitës janë mbledhur në foltoren e Kuvendit duke kërkuar t’i jepet fjala kreut të PD-së, Sali Berisha.
Pas ndërprerjes së fjalës së Berishës, ky i fundit ia kaloi fjalën deputetit të partisë “Mundësia”, Erald Kapri, i cili kërkoi nga kryetari i Kuvendit respektimin e rregullores dhe të drejtave të opozitës.
“Zoti kryetar, respektoni rregulloren e Kuvendit. Duhet të respektojmë opozitën,” u shpreh Kapri nga foltorja.
Nga ana e tij, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, i kërkoi deputetëve të uleshin në vend, duke theksuar se fjala do t’u jepej për replikë.
Kapri reagoi duke deklaruar se në këto kushte nuk mund të zhvillohet normalisht seanca plenare dhe se po i cenohej e drejta për procedurë. Ai shtoi se synonte të fliste për çështjen e banorëve të Rrjollit dhe Durrësit lidhur me të drejtën e pronës, por kërkoi më parë që të respektohej kërkesa për replikë e opozitës.
Debatet vijojnë mes palëve, ndërsa situata në sallë mbetet e tensionuar.
