Kryeministri hungarez Viktor Orbán ka reaguar ashpër ndaj planit për përshpejtimin e anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian, duke e cilësuar atë si një “deklaratë të hapur lufte” kundër Hungarisë.
Sipas raportimeve, Komisioni Evropian po shqyrton mundësi që procesi i integrimit të Ukrainës të avancojë më shpejt, madje edhe me forma të anëtarësimit të pjesshëm përpara përmbushjes së plotë të reformave të kërkuara. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka shprehur objektivin që vendi i tij të anëtarësohet deri në vitin 2027.
Orbán, i cili ka kundërshtuar vazhdimisht zgjerimin e BE-së me Ukrainën, deklaroi se vendimi po merret pa marrë parasysh vullnetin e popullit hungarez. Ai paralajmëroi se një hap i tillë do të përbënte cenim të interesave kombëtare të Hungarisë.
Ndërkohë, në Bruksel po diskutohen edhe mekanizma për të anashkaluar një veto të mundshme nga Budapesti, përfshirë masa që lidhen me procedurat e brendshme të BE-së.
