Balluku del nga GJKKO pa koment, mbrojtja përforcohet ndërsa vijon seanca për masat e sigurisë

Data

Belinda Balluku, zv.kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës e pezulluar nga detyra me vendim të GJKKO-së, ka dalë nga ambientet e gjykatës ku u paraqit për verifikimin e masave të sigurisë të caktuara ndaj saj.

Belinda Balluku mbërriti rreth orës 08:50 dhe doli pas më shumë se gjysmë ore brenda ambienteve të GJKKO-së, rreth orës 09:40. Pas daljes nga seanca, Balluku nuk iu përgjigj asnjë prej pyetjeve që gazetarët i bënë

Kujtojmë që Belinda Balluku ka përforcuar ekipin e saj ligjor për t’u mbrojtur. Krahas motrës së saj, Pamela Qirko, ekipit të saj iu është shtuar edhe Ardian Kalia, i cili më herët ka ushtruar detyrën e gjyqtarit.

GJKKO ka caktuar ndaj saj masat e sigurisë “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, (pezullimi nga detyra me funksione të larta shtetërore si Zv.Kryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë).

Ajo akuzohet se ka manipuluar dy tendera me vlerë 210 milionë euro, së bashku me vartësit e saj më të ngushtë, Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, duke favorizuar kompanitë fituese.

Ndaj të pandehurës Belinda Balluku rëndojnë akuzat për kryerjen e veprës penale, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim sa i përket procedurës së prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë” dhe e dyshuar për kryerjen e veprës penale, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim sa përket procedurës së prokurimit me objekt “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”.

Seanca nisi në orën 09:00 dhe do të zhvillohet për marrjen në pyetje, si edhe verifikimin e kushteve, kritereve të caktimit të masës dhe nevojat e sigurimit për të pandehurit Belinda Balluku, Gentian Gjyli e Erald Elezi, të cilët akuzohen për abuzim me tenderin e tunelit të Llogarasë dhe Unazës së Madhe.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related