Deputeti i PD-së, Saimir Korreshi, deklaroi se protesta e opozitës ishte një “kryengritje popullore” kundër asaj që ai e cilësoi si përqendrim të pushtetit në duart e kryeministrit.
Në një intervistë televizive, Korreshi u shpreh se kryeministri dhe bashkëpunëtorët e tij, përfshirë Belinda Ballukun, “i kanë ditët e numëruara”, duke pretenduar se veprimet e fundit janë përpjekje për t’iu shmangur drejtësisë.
Ai theksoi se tensionet gjatë protestës ishin, sipas tij, rezultat i “mllefit të akumuluar” të qytetarëve ndaj qeverisë, të cilën e akuzoi për korrupsion dhe keqmenaxhim të fondeve publike. Sipas Korreshit, objektivi i protestës ishte dhënia e një mesazhi politik ndaj institucioneve dhe jo përballja me efektivët e policisë.
Deputeti demokrat shtoi se opozita do të vijojë aksionin e saj politik, duke synuar, sipas tij, ndryshimin përmes presionit qytetar.
