Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar ashpër ndaj paralajmërimeve të mazhorancës për ndryshime në Nenin 242 të Kodit Penal, duke deklaruar se kryeministri Edi Rama nuk mund të shpëtojë nga drejtësia përmes ndërhyrjeve ligjore.
Sipas Shehajt, paprekshmëria e pushtetarëve është e ndaluar nga Kushtetuta dhe askush nuk mund të vendoset mbi ligjin. Ai thekson se përpjekja për të zgjeruar listën e zyrtarëve që nuk mund të pezullohen nga detyra me vendim gjykate – duke përfshirë Kryeministrin dhe ministrat – është një përpjekje për t’u bërë “i paprekshëm”.
Shehaj argumenton se aktualisht ligji parashikon që pezullimi nuk zbatohet për deputetët, kryetarët e bashkive dhe anëtarët e këshillave bashkiakë, ndërsa ndryshimet e propozuara synojnë të shtojnë edhe Kryeministrin dhe anëtarët e kabinetit qeverisës në këtë kategori.
Ai shton se Rama e ka “drejtësinë shumë afër” dhe është i vetëdijshëm se me një vendim gjykate mund të pezullohet nga detyra, ndaj edhe po tenton ndërhyrje në ligj. Megjithatë, Shehaj shprehet i bindur se një skenar i tillë nuk do të realizohet, duke theksuar se fundi i pandëshkueshmërisë në Shqipëri është një proces i mbështetur edhe nga partnerët perëndimorë.
“Askush nuk është mbi ligjin”, përfundon reagimi i tij.
