“Plumbi i artë”/ 150 mijë euro për atentatin, rrëfimi tronditës i Hoxhës në GJKKO

Data

Në Gjykatën e Posaçme ka vijuar dëshmia e Henrik Hoxhës, i pandehur në dosjen “Plumbi i artë”, i cili ka zbardhur detaje të reja lidhur me atentatin e dështuar ndaj biznesmenit Lulëzim Masha në janar 2022 në Tiranë.

Sipas Hoxhës, objektivi fillestar i grupit nuk kishte qenë vetë biznesmeni, por djali i tij. Meqenëse ky i fundit nuk po gjendej, plani kishte ndryshuar: të vritej babai, me qëllim që i biri të paraqitej në ceremoninë mortore dhe aty të realizohej ekzekutimi.

Hoxha deklaroi se porosia ishte marrë nga Nuredin Dumani. Fillimisht ishte diskutuar shuma 150 mijë euro për vrasjen e djalit, ndërsa për atentatin ndaj Lulëzim Mashës, sipas tij, ishte rënë dakord për 100 mijë euro.

Ai tregoi se për rreth një vit kishin vëzhguar lëvizjet e biznesmenit dhe se vendi i zgjedhur për atentatin ishte pranë Liqenit Artificial në Tiranë. Hoxha tha se kishte çuar Skerdi Tasin në zonë dhe më pas ishte larguar. Më vonë kishte mësuar se arma ishte bllokuar dhe se biznesmeni kishte mbetur vetëm i plagosur.

“Në një ditë më parë kisha shkrepur një karikator me armën, por atë ditë ngeci”, u shpreh Hoxha, duke shtuar se gjatë ngjarjes kishte pasur në makinë një radio policie për të dëgjuar komunikimet e forcave të rendit.

Në dëshminë e tij, Hoxha përmendi edhe planifikimin e një atentati tjetër në Elbasan ndaj Oti Kilës, i cili nuk u realizua. Ai tregoi gjithashtu se kishte transportuar Nuredin Dumanin drejt Fierit pasi këtij të fundit iu bë atentat në aksin Peqin-Elbasan.

Sipas Hoxhës, pas arrestimit, Dumani kishte bashkëpunuar me drejtësinë, ndërsa ai vetë u shpreh se nuk e kishte besuar versionin që Dumani i kishte dhënë për atentatin ndaj tij, ku sipas këtij të fundit ishte përfshirë edhe Talo Çela.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related