“Molotovët rrezikuan jetën e efektivëve”/ Drejtori i Rendit: Policia veproi sipas ligjit

Data

Drejtori i Rendit Publik në Policinë e Shtetit, Agron Çeli, deklaroi se gjatë protestës së 10 shkurtit janë lënduar 16 efektivë policie, tre prej tyre në gjendje të rëndë si pasojë e djegieve nga molotovët e hedhur drejt tyre.

Sipas tij, bombat artizanale me lëndë djegëse paraqesin rrezik të lartë për jetën dhe janë të pakontrollueshme në momentin e shpërthimit. Çeli theksoi se djegiet kanë qenë kryesisht në gjymtyrë, por edhe në pjesë të sipërme të trupit, ndërsa disa efektivë mund t’i nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale për shkak të shkallës së dëmtimit.

Ai sqaroi se molotovët përmbajnë lëndë djegëse si benzina dhe, pas shpërthimit, flaka është e menjëhershme dhe e vështirë për t’u fikur, madje edhe nga shërbimet zjarrfikëse. Përveç djegieve, ato mund të shkaktojnë dëmtime nga copat e qelqit dhe probleme nga tymi.

Policia ka sekuestruar 22 molotovë të pashpërthyer. Çeli theksoi se përdorimi i tyre përbën vepër penale, e dënueshme nga 1 deri në 5 vite burg, ndërsa në rast pasojash të rënda apo vdekjeje, dënimi rritet nga 2 deri në 10 vite.

Duke krahasuar protestën e 24 janarit me atë të 10 shkurtit, ai tha se kjo e fundit ishte më agresive dhe sulmet ishin të drejtuara posaçërisht ndaj efektivëve. Sipas tij, para Kryeministrisë nuk është përdorur gaz lotsjellës, ndërsa para Kuvendit ndërhyrja është bërë pasi, sipas policisë, u rrezikua seriozisht jeta e efektivëve.

Në fund, Çeli bëri thirrje që të miturit të mos përfshihen në protesta të tilla, duke e cilësuar këtë si veprim të papërgjegjshëm dhe të rrezikshëm.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related