33 milionë lekë dëm, SPAK dërgon për gjykim ish-kryebashkiakun Elvis Rroshi

Data

Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet dhe ka kërkuar në Gjykatën e Posaçme kalimin për gjykim të ish-kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Rroshi, për veprën penale të shpërdorimit të detyrës.

Kërkesa është depozituar pak ditë pas paraqitjes së Rroshit në SPAK, ku ai firmosi aktin e mbylljes së hetimeve. Çështja do të shqyrtohet nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Hetimi lidhet me parregullsi të konstatuara në disa procedura tenderuese gjatë kohës kur Rroshi drejtonte Bashkinë e Kavajës. Procedimi nisi pas një kallëzimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit në shtator 2015, ku përfshiheshin edhe disa zyrtarë të tjerë.

Sipas kallëzimit, dyshohet për një dëm ekonomik prej 33 milionë lekësh, që lidhet me tenderat për rikonstruksionin e qendrës së qytetit dhe ndërtimin e disa rrugëve. Auditimi për periudhën janar 2013 – dhjetor 2014 evidentoi 12 procedura prokurimi, kryesisht për punime infrastrukturore dhe gjelbërim urban.

Në disa raste u konstatuan përdorime të standardeve të ndryshme në vlerësimin e ofertave, si dhe skualifikime të padrejta të operatorëve për shkak të llogaritjeve të pasakta.

Dosja ishte trajtuar fillimisht nga Prokuroria e Durrësit, e cila kishte kërkuar pushimin e saj, por më pas, me vendim të Gjykatës së Posaçme, hetimi u rihap dhe kaloi në kompetencë të SPAK.

Me dërgimin e çështjes për gjykim, procesi ndaj ish-kryebashkiakut hyn tashmë në fazën gjyqësore.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related