Në përvjetorin e parë të arrestimit të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, dy studio ligjore ndërkombëtare me të cilat ai ka kontratë për përfaqësim, kanë bërë thirrje publike për përfundimin e masës së paraburgimit ndaj tij.
Në një deklaratë për mediat, firmat ligjore “Kasowitz Benson Torres” me seli në Nju Jork dhe “Mishcon de Reya” në Londër shprehen se çështja e Veliajt është kthyer në një shembull të përdorimit të tepruar të masës së arrestit me burg në Shqipëri. Sipas tyre, nuk ka prova që ai përbën rrezik arratisjeje, se mund të pengojë hetimet apo të kryejë vepra të tjera penale.
Në reagim theksohet se Veliaj është mbajtur në paraburgim për muaj të tërë pa u njohur plotësisht me aktet hetimore, ndërsa rasti cilësohet si persekutim politik dhe proces me shkelje të standardeve të rregullta ligjore.
Përfaqësues të studios amerikane janë shprehur se trajtimi i tij bie ndesh me standardet amerikane dhe evropiane të drejtësisë dhe procesit të rregullt ligjor, duke e përshkruar çështjen si një “gjyq-spektakël politik”.
Në deklaratë përmendet edhe se prokuroria ka argumentuar vijimin e paraburgimit me faktin se Veliaj ka kërkuar këshillim ligjor në Shtetet e Bashkuara, gjë që sipas firmave përbën shkelje të së drejtës për mbrojtje.
Veliaj ndodhet në arrest me burg që prej 10 shkurtit 2025. Ndaj tij janë ngritur disa akuza, përfshirë korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në institucionet e vuajtjes së dënimit. Dosja ndaj tij ka kaluar për gjykim, ndërsa procesi pritet të vijojë në seancat e ardhshme.
