Ekipi mbrojtës i Hashim Thaçit nis sot fjalën përmbyllëse në Gjykatën Speciale në Hagë, në kuadër të fazës finale të procesit gjyqësor që po zhvillohet ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Në ditën e tretë të kësaj faze, avokati i Thaçit, Luka Mishetiq, pritet të paraqesë deklaratën përmbyllëse duke filluar nga ora 09:00. Kjo vjen pas përfundimit të fjalës së Prokurorisë së Specializuar, e cila një ditë më parë paraqiti argumentet përfundimtare.
Prokuroria ka pretenduar se ka administruar mbi pesë mijë prova materiale dhe ka intervistuar më shumë se 130 dëshmitarë, ndërsa ka kërkuar dënime deri në 45 vite burg për secilin prej të akuzuarve. Nga ana tjetër, mbrojtja i ka cilësuar akuzat si të pabazuara, duke theksuar se UÇK-ja nuk kishte një strukturë të organizuar komanduese në formën e pretenduar nga prokuroria.
Pas Prokurorisë, fjalën përmbyllëse e mbajti edhe përfaqësuesi i viktimave, i cili citoi dëshmi lidhur me dëmet dhe pasojat psikologjike të pretenduara.
Në këtë proces përfshihen edhe Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Gjykimi ka nisur më 3 prill 2023.
Ndërkohë, Kuvendi i Kosovës ka shtyrë seancën plenare të planifikuar për mesditë, duke e zhvendosur për në orët e pasdites, për shkak të zhvillimeve në Hagë.
Pas përmbylljes së deklaratave nga të gjitha palët, çështja do të kalojë në shqyrtim nga trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj afat për të marrë një vendim ose për të kërkuar zgjatje të afatit për shpalljen e tij.
