Një aksident i rëndë rrugor me pasojë humbjen e jetës është regjistruar në zonën e Marzabottos, pranë Bolonjës në Itali, ku një shtetas shqiptar 32-vjeçar ka ndërruar jetë.
Viktima është identifikuar si Leonardo Fjora, i cili po udhëtonte me automjetin e tij tip Volkswagen Lupo në rrugën Porrettana. Sipas autoriteteve italiane, dyshohet se gjatë një manovre parakalimi, automjeti i tij u përplas ballë për ballë me një kamion të grumbullimit të mbetjeve që po lëvizte në sens të kundërt.
Si pasojë e përplasjes, makina doli nga rruga dhe u përfshi nga flakët. 32-vjeçari nuk arriti t’i mbijetojë plagëve të marra, ndërsa drejtuesi i kamionit pësoi vetëm dëmtime të lehta.
Në vendngjarje ndërhynë menjëherë zjarrfikësit dhe shërbimet e emergjencës, ndërsa karabinierët italianë po hetojnë për të zbardhur plotësisht shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.
