Një aksident i rëndë ushtarak është shënuar ditën e sotme në Korenë e Jugut, ku dy ushtarë humbën jetën pas rrëzimit të një helikopteri gjatë një stërvitjeje rutinë.
Ngjarja ndodhi rreth orës 11:04 në rrethin Gapyeong, rreth 55 kilometra në verilindje të kryeqytetit Seul. Helikopteri ushtarak i tipit AH-1S Cobra po kryente manovra stërvitore dhe tentonte një ulje emergjente pa fikur motorin, kur u rrëzua për shkaqe ende të paqarta.
Dy ushtarët që ndodheshin në bord u transportuan menjëherë drejt spitalit, por nuk arritën t’u mbijetonin plagëve të rënda. Autoritetet ushtarake kanë bërë me dije se në vendngjarje nuk ka pasur zjarr, shpërthime apo dëme për civilët.
Pas incidentit, ushtria koreano-jugore ka pezulluar përkohësisht të gjitha fluturimet me këtë model helikopteri dhe ka ngritur një ekip të posaçëm hetimor për të zbardhur shkaqet e aksidentit. Hetimet janë në vijim dhe pritet të japin më shumë detaje mbi rrethanat e tragjedisë.
