Malltezi: Dosja “Partizani” është farsë politike, në sallë u paraqitën elementë groteskë

Data

Jamarbër Malltezi ka reaguar për mediat pas përfundimit të seancës gjyqësore për dosjen “Partizani”, ku ai është marrë i pandehur për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave. Ai e cilësoi procesin si një farsë politike dhe akuzoi prokurorët për veprimtari të motivuar politikisht.

Sipas Malltezit, gjatë seancës janë paraqitur elementë që ai i përshkroi si groteskë dhe të pavërtetë, duke shtuar se çështja ndaj tij dhe ish-kryeministrit Sali Berisha nuk ka lidhje me drejtësinë, por me interesa politike.

“Në sallë u paraqitën elementë groteskë, të mbështetur mbi gënjeshtra. Prokurori Arben Kraja paraqiti sikur është përfituar tokë turistike në Gjirin e Lalzit me 5 euro për metër katror, ndërkohë që persona të lidhur me pushtetin kanë blerë prona me mbi 1 mijë euro për metër katror. Këto janë gënjeshtra të pastra”, u shpreh Malltezi.

Ai shtoi se gjatë seancës janë evidentuar, sipas tij, edhe pasaktësi në lidhje me planin e zhvillimit dhe me cilësimet ligjore të çështjes, duke akuzuar gjyqtarët se kanë rënë pre e pretendimeve të prokurorëve.

Malltezi theksoi se ka ndërmarrë hapa ligjorë kundër prokurorëve të çështjes, por pa marrë përgjigje nga institucionet përkatëse.

“Dy herë i jam drejtuar Prokurorisë së Tiranës dhe nuk kam marrë asnjë përgjigje. Kemi të bëjmë me konflikt të pastër interesi. Kam kallëzuar prokurorët për shpërdorim detyre, nisje të paligjshme të procedimit penal dhe falsifikim dokumentesh”, deklaroi ai.

Ai përfundoi duke përsëritur se procesi gjyqësor ndaj tij është i motivuar politikisht dhe se, sipas tij, drejtësia po përdoret si mjet për goditje politike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related