“Ndërhyrja e Ramës në një hetim aktiv”/ Skandali ‘Balluku’, Gazment Bardhi: 3 të vërteta që Këshilli i Mandateve duhet t’i përballet menjëherë

Data

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Sipas Bardhit, paralajmërimi i Ramës për ndërhyrje në legjislacion gjatë një hetimi penal aktiv përbën një skandal të rëndë institucional dhe një përpjekje të hapur për të mbrojtur pushtetin e korruptuar. Ai theksoi se ligjet nuk ndryshohen në mes të hetimit dhe se qeveria dhe Kuvendi po veprojnë të bashkuar kundër drejtësisë.

Në reagimin e tij, Bardhi rendit tre të vërteta që, sipas tij, nuk mund të anashkalohen:

1. Ndryshimi i ligjit për të shpëtuar pushtetin

Kur një kryeministër ndërhyn në ligj ndërkohë që po hetohet bashkëpunëtorja e tij më e afërt, ai nuk po mbron parime kushtetuese, por po mbron pushtetin e vet të korruptuar. Rregullat nuk ndryshohen në mes të hetimit për të shpëtuar individë konkretë.

2. Presion i organizuar ndaj drejtësisë

Kur Qeveria dhe Kuvendi bashkohen për të goditur vendime të dy gjykatave në një hetim penal aktiv, kemi ndërhyrje të dy pushteteve mbi të tretin. Kjo nuk është ndarje pushtetesh, por presion i organizuar kundër drejtësisë.

3. Blerje kohe përmes shtyrjes së vendimeve

Deklarata se “nuk ka urgjencë” për kërkesën e SPAK për arrestimin e Ballukut, sipas Bardhit, është mesazh i qartë se drejtësia duhet të presë, ndërsa pushteti kërkon kohë për të mbrojtur veten.

Bardhi sqaroi se pezullimi nga funksioni publik nuk është shpikje e SPAK-ut, por një masë e parashikuar në Kodin e Procedurës Penale dhe që vlen për çdo funksionar publik, përfshirë ministra, zëvendëskryeministra dhe kryeministrin.

Ai theksoi se pezullimi nuk paralizon shtetin, por vetëm personin nën hetim, për të shmangur ndikimin mbi procesin penal. Arresti, sipas tij, kërkohet kur ekziston rreziku i intimidimit të dëshmitarëve apo cenimit të provave – rreziqe që SPAK ka argumentuar se janë konkrete në rastin e Belinda Ballukut.

Në përfundim, Bardhi kërkoi mbledhjen e menjëhershme të Këshillit të Mandateve, pa justifikime dhe pa shtyrje artificiale, duke theksuar se kryetari i Kuvendit duhet të zgjedhë qartë: ose në anën e ligjit, ose në anën e pengimit të drejtësisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related