Mbahet seanca e radhës në GJKKO për aferën “Partizani”, Malltezi sulmon prokurorët gjatë parashtrimeve

Data

Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u zhvillua sot seanca e radhës për aferën e njohur si dosja “Partizani”, ku i pandehuri Jamarbër Malltezi paraqiti parashtrimet e tij para trupës gjykuese.

Seanca u shoqërua me tensione dhe debate, pasi Malltezi sulmoi prokurorët e çështjes, duke i cilësuar si “prokurorë politikë”. Trupa gjykuese ndërhyri disa herë, duke i kërkuar që të përdorë termin zyrtar “prokuror” dhe të shmangë gjuhën fyese ndaj përfaqësuesve të akuzës.

“Po si t’i quaj prokuror, kur janë prokurorë politikë që kanë ngritur një akuzë politike?”, deklaroi Malltezi gjatë seancës. Gjykata reagoi sërish, duke i tërhequr vëmendjen për gjuhën e përdorur dhe duke kërkuar respektimin e rregullave procedurale.

Në vijim, Malltezi sulmoi drejtpërdrejt një prej prokurorëve duke e quajtur “hetues të komunizmit”, ndërsa për një tjetër përfaqësuese të akuzës pretendoi se ishte emëruar për arsye politike. Këto deklarata sollën reagimin e Prokurorisë, e cila kërkoi ndërhyrjen e gjykatës.

“Kërkoj t’i tërhiqet vërejtje të pandehurit, pasi në këtë proces nuk janë prokurorët ata që janë nën gjykim. Nëse ka pretendime, le t’u drejtohet institucioneve përkatëse dhe të qëndrojë brenda kufijve të akuzës”, u shpreh përfaqësuesja e akuzës.

Dosja “Partizani” kaloi për gjykim më 19 maj. Ish-kryeministri Sali Berisha do të gjykohet për akuzën e korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë, pasi dyshohet se në cilësinë e tij si kryeministër ka ndërmarrë veprime konkrete për miratimin e ligjeve dhe akteve nënligjore, nga të cilat kanë përfituar familjarë të tij, përfshirë edhe dhëndrin.

Jamarbër Malltezi akuzohet për korrupsion dhe pastrim parash. Sipas Prokurorisë së Posaçme, ai ka përfituar rreth 5.4 milionë euro nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt, falë vendimeve qeveritare të marra në periudhën kur Berisha ishte në krye të qeverisë.

Në këtë proces janë të pandehur edhe persona të tjerë, të akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash, si dhe disa kompani të dyshuara se janë përdorur për realizimin dhe fshehjen e përfitimeve të paligjshme.

Seancat pritet të vijojnë në ditët në vijim, ndërsa çështja konsiderohet një nga proceset më të rëndësishme gjyqësore për korrupsionin në nivelet e larta të pushtetit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related