Prokuroria e Specializuar në Hagë ka kërkuar dënim prej 45 vitesh burg për secilin prej ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në fazën përfundimtare të procesit gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Pas shpalljes së pretencës, ka reaguar Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke e cilësuar procesin si të motivuar politikisht dhe duke bërë thirrje për reagim qytetar.
Në një mesazh publik, Endrit Thaçi u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkohen masivisht në protestën që do të mbahet më 17 shkurt, në Ditën e Pavarësisë së Kosovës, në shesh, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.
“Drejtësi, jo politikë”, është thirrja e protestës, e cila organizohet nga platforma qytetare “Liria ka Emër”.
Organizatorët theksojnë se protesta synon të shprehë kundërshtimin ndaj asaj që ata e konsiderojnë një proces të padrejtë dhe selektiv, si dhe të mbrojë vlerat e luftës çlirimtare të Kosovës.
Protesta e 17 shkurtit pritet të mbledhë qytetarë nga Kosova, Shqipëria dhe diaspora, ndërsa mbetet për t’u parë reagimi i institucioneve ndërkombëtare ndaj tensioneve që po shoqërojnë këtë proces gjyqësor.
