Një festival muzikor në Australi është shndërruar në tragjedi, pasi një person ka humbur jetën dhe gjashtë të tjerë janë shtruar në spital gjatë eventit “Dreamstate”, i mbajtur në Sydney.
Sipas autoriteteve lokale, viktima, një burrë rreth të 40-ave, ka pësuar një kolaps në ambientet e Sydney Olympic Park. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të stafit mjekësor të pranishëm në festival, ai nuk ka mundur të mbijetojë dhe ka ndërruar jetë në vendngjarje.
Gjashtë persona të tjerë janë transportuar me urgjencë në spitale të zonës, ku njëri prej tyre ndodhet në gjendje kritike. Autoritetet kanë nisur hetimet dhe pritet që të kryhet një raport mjeko-ligjor për të sqaruar rrethanat e sakta të ngjarjes.
Sipas dyshimeve paraprake, viktima mund të ketë pësuar arrest kardiak si pasojë e një mbidoze droge. Ngjarja ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë në evente masive muzikore.
Festivali “Dreamstate” u zhvillua të shtunën në Sydney, ndërsa dita e dytë ishte planifikuar të mbahej të dielën në Melbourne. Eventi njihet ndërkombëtarisht për muzikën techno dhe produksionet e mëdha skenike.
Autoritetet shëndetësore kanë paralajmëruar më herët për qarkullimin e kapsulave dhe pilulave MDMA me dozë të lartë, duke u bërë thirrje qytetarëve, veçanërisht pjesëmarrësve në festivale të mëdha, të tregojnë kujdes të shtuar.
