Ja plani sekret i Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj për të dobësuar SPAK-un sipas modelit të Aleksandar Vuçić: Si u shkatërrua prokuroria speciale serbe “TOK”

Data

Në Serbi po zhvillohet një përpjekje e hapur për paralizimin e Prokurorisë për Krimin e Organizuar, e njohur si TOK, institucioni homolog i SPAK-ut në Shqipëri. Vetëm pak ditë më parë, Parlamenti serb miratoi ndryshime ligjore që kufizojnë kompetencat e prokurorëve dhe dobësojnë Këshillin e Lartë të Prokurorisë, duke hapur rrugën për ndërhyrje të drejtpërdrejtë politike në hetimet ndaj zyrtarëve të lartë.

Këto zhvillime janë cilësuar nga kritikët si një goditje frontale ndaj drejtësisë së pavarur. Vetë TOK paralajmëroi se ndryshimet ligjore do të paralizojnë hetimet më të ndjeshme, veçanërisht ato që lidhen me korrupsionin e nivelit të lartë dhe krimin e organizuar. Në Serbi, presioni politik dhe sulmet mediatike ndaj prokurorëve janë bërë të zakonshme, ndërsa qeveria e presidentit Vuçiç akuzohet se ka vënë nën kontroll institucionet kyçe të drejtësisë.

Një model i ngjashëm, sipas analistëve dhe ekspertëve të fushës, po tentohet të zbatohet edhe në Shqipëri. Kryeministri Edi Rama dhe mazhoranca socialiste kanë intensifikuar sulmet publike ndaj SPAK-ut, duke e shoqëruar këtë me veprime institucionale që synojnë kufizimin e burimeve njerëzore, financiare dhe autoritetit të tij.

Një rol kyç në këtë proces po luan komisioni parlamentar i drejtuar nga Fatmir Xhafaj, i njohur më herët si Komisioni Antikorrupsion dhe tashmë i riemërtuar. Sipas kritikëve, ky komision po shërben si instrument për mbikëqyrje politike dhe presion indirekt mbi Prokurorinë e Posaçme, nën petkun e reformave institucionale.

Sulmet verbale të kryeministrit ndaj SPAK-ut, veçanërisht për pagat e prokurorëve dhe hetimet ndaj figurave të larta të qeverisë, shihen si pjesë e një strategjie për delegjitimimin e institucionit në sytë e opinionit publik. Dosje të ndjeshme, si ajo që lidhet me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, kanë nxitur një reagim të fortë politik dhe mediatik, të ngjashëm me atë që po ndodh në Serbi ndaj TOK.

Në të dyja vendet, mazhorancat kanë qenë në pushtet për më shumë se një dekadë dhe ndodhen në proces integrimi drejt Bashkimit Evropian. Pikërisht për këtë arsye, zhvillimet e fundit kanë ngritur alarmen në Bruksel, pasi dobësimi i prokurorive speciale shihet si një hap prapa në luftën kundër korrupsionit dhe në ndërtimin e shtetit të së drejtës.

Në Shqipëri, shqetësim shtesë ka shkaktuar edhe refuzimi i heshtur i mazhorancës për të shqyrtuar ndryshime kushtetuese që do t’u lejonin prokurorëve të SPAK-ut rikandidimin për një mandat të dytë, një kërkesë e mbështetur publikisht edhe nga përfaqësues të lartë ndërkombëtarë.

Ekspertët paralajmërojnë se, nëse skenari serb përsëritet edhe në Shqipëri, vendi rrezikon të humbasë institucionin më të rëndësishëm në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë, duke dëmtuar rëndë besimin e qytetarëve dhe kredibilitetin në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Ky zhvillim konsiderohet një alarm serioz për demokracinë dhe drejtësinë, dhe një provë vendimtare për vullnetin real të qeverisë shqiptare për të respektuar pavarësinë e institucioneve të drejtësisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related