Pezullimi i Belinda Ballukut, Bardhi: Kuvendi duhet t’i hapë rrugë arrestimit! Këshilli i Mandateve të mblidhet të hënën

Data

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të kryeministrit Edi Rama pas pezullimit të Belinda Ballukut nga detyra si zv/kryeministre dhe ministre.

Bardhi e cilësoi sjelljen e kryeministrit si një përpjekje të hapur për të mbrojtur pushtetin dhe korrupsionin, duke theksuar se veprimet e tij përbëjnë një sfidë serioze ndaj shtetit ligjor dhe drejtësisë.

“Mbrojtja e pushtetit dhe korrupsionit nuk është shtet ligjor. Sa herë që drejtësia i afrohet pushtetit të kriminalizuar dhe të korruptuar, Edi Rama zgjedh sulmin ndaj drejtësisë”, deklaron Bardhi.

Sipas tij, reagimet e Ramës ndaj vendimeve të gjykatave tregojnë frikë dhe tentativë për të delegjitimuar drejtësinë, duke e shndërruar kryeministrin në një figurë që sheh armiq kudo dhe lufton me “mullinjtë e erës”.

“Problemi nuk janë metaforat e Ramës, por frika e tij për shkak të punëve të zeza. Kur një kryeministër del publikisht për të delegjitimuar një vendim gjykate, ai nuk po mbron vetëm një ministre, por pushtetin e vet për ta vendosur mbi ligjin”, thekson Bardhi.

Ai nënvizon se drejtësia nuk mund të garantohet nga një individ apo një parti politike, por vetëm nga Kushtetuta, ndarja e pushteteve dhe barazia para ligjit.

“Drejtësia e pavarur nuk ka nevojë për tutorë politikë. Ka nevojë për heshtjen e pushtetit dhe forcën e ligjit. Shqipëria nuk ka nevojë për një garant personal të drejtësisë, por për ligj që zbatohet njësoj për të gjithë”, shprehet Bardhi.

Në fund të reagimit, ai kërkon veprim të menjëhershëm institucional, duke theksuar se të hënën duhet të mblidhet Këshilli i Mandateve për të shqyrtuar kërkesën e SPAK.

“Të hënën Kuvendi duhet t’i hapë rrugë arrestimit. Çdo vonesë tjetër do të jetë një akt i qartë pengimi ndaj drejtësisë. Ligji nuk negociohet, ai zbatohet”, përfundon Bardhi.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related