U dhunua nga dy të rinj në Vlorë, avokati i Metës u godit me mjet prerës pas koke – ja si paraqitet gjendja e tij

Data

Avokati Kujtim Cakrani, i cili u dhunua këtë të dielë, 8 shkurt, në ambientet e një pike karburanti në Vlorë, ka pësuar dëmtime serioze në kokë pasi është goditur me një mjet prerës në pjesën e pasme.

Mbrojtësi ligjor i ish-presidentit Ilir Meta ka marrë një frakturë të rëndë në pjesën e pasme të kokës dhe për pasojë është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku ndodhet i shtruar në repartin e reanimacionit.

Burime spitalore bëjnë me dije se gjendja e avokatit është e rënduar, ai ka dëmtime serioze në kokë dhe aktualisht nuk arrin të qëndrojë në këmbë. Po i nënshtrohet trajtimit dhe monitorimit të vazhdueshëm nga stafi mjekësor.

Ngjarja

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:30, në rrugën Tranballkanike, teksa avokati po furnizonte automjetin me karburant. Sipas policisë, konflikti ka nisur për shkak të mënyrës së parkimit të makinës së avokatit, e cila, sipas dy personave të përfshirë, kishte bllokuar automjete të tjera.

Fillimisht ka pasur debate verbale, ndërsa më pas njëri prej agresorëve ka zbritur nga automjeti, ka hyrë nga dera e pasagjerit dhe e ka goditur avokatin me mjet prerës në kokë, duke i shkaktuar dëmtime të rënda.

Dëshmia e avokatit

Sipas vetë Kujtim Cakranit, ai është sulmuar nga dy persona të panjohur në momentin që po furnizohej me karburant.

“Ishin dy çuna me një makinë. Fillimisht më provokuan dhe më ofenduan, pastaj më dhunuan fizikisht. Me njërin po bisedoja, ndërsa tjetri më goditi pas koke me mjet prerës. Unë isha ulur në makinë, njëri po më ofendonte nga dritarja, tjetri hyri nga dera e pasagjerit dhe më goditi. Më thanë se kisha parkuar keq makinën dhe se kisha zënë gjysmën e karburantit. Ishte një formë provokimi,” – ka deklaruar ai.

I pyetur nëse dyshon për motive të tjera, avokati është shprehur se nuk mund të japë një përgjigje të saktë në këtë fazë.

“Nuk i njoh. Janë të rinj. Kërcënime në rrjete sociale kam pasur për shkak të profesionit dhe çështjeve sensitive që ndjek, por nuk mund të them më shumë. Lëndimet i kam vetëm në kokë,” – ka shtuar Cakrani.

Policia dhe ekspertët mjeko-ligjorë po vijojnë veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related