Kryeministri Edi Rama ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese që la në fuqi pezullimin nga detyra të ministres dhe zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e marrë e pandehur nga SPAK dhe ndaj së cilës është vendosur masë sigurie nga GJKKO.
Në podkastin e tij “Flasim”, Rama u shpreh se Gjykata Kushtetuese u tregua e pafuqishme për të marrë një vendim të qartë, duke e cilësuar situatën si një anomali të rrezikshme institucionale. Sipas tij, vendimi krijon precedent absurd, pasi hap rrugën që edhe Presidenti i Republikës të mund të pezullohet nga detyra.
“Kjo është një çartje antidemokratike. Me këtë mosvendimmarrje të Kushtetueses, Shqipëria rrezikon të mbetet rasti i vetëm në botë ku një prokuror dhe një gjykatës, në një seancë paraprake, mund të pezullojnë një anëtar të qeverisë, madje potencialisht edhe Presidentin e Republikës”, tha Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se kjo betejë nuk do të ndalet dhe se mazhoranca do të vijojë përpjekjet për të kundërshtuar atë që ai e cilësoi si një shpikje të drejtësisë shqiptare, pa precedent në vendet demokratike.
Ai u ndal edhe te masat e paraburgimit, duke kritikuar ashpër praktikat e fundit të arrestimeve, të cilat sipas tij janë bërë pa respektuar standardet evropiane të drejtësisë.
“Këtë javë u arrit një kulm i ri me dhjetëra masa arresti të prera nga një prokuror i vetëm, për çështje që nuk përmbushin asnjë nga kushtet e përcaktuara nga Këshilli i Europës për arrestin. Të gjitha u futën në një thes”, u shpreh Rama.
Kryeministri hodhi poshtë pretendimet se këto zhvillime mund të rikthejnë opozitën në skenën politike, duke deklaruar se shumica qeverisëse nuk do të pësojë kosto nga këto procese.
“Lufta për drejtësi, për shtet ligjor dhe për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian ka një garant të vetëm sot për sot: mua dhe këtë shumicë qeverisëse. Kush mendon se do të ringrejë opozitën përmes këtyre manovrave, gabon rëndë”, deklaroi ai.
Në fjalën e tij të plotë, Rama theksoi se pezullimi i një anëtari të qeverisë para nisjes së gjykimit përbën një shkelje të rëndë të parimeve themelore të demokracisë dhe ndarjes së pushteteve, duke shtuar se kjo situatë kërkon zhbërje urgjente për të garantuar pavarësinë e pushtetit ekzekutiv.
