Virusi Nipah, i identifikuar së fundmi në Indi, po rikthen vëmendjen e autoriteteve shëndetësore ndërkombëtare për shkak të rrezikshmërisë së lartë dhe shkallës së madhe të vdekshmërisë, e cila mund të arrijë deri në 75 për qind.
Sipas specialistëve shqiptarë të shëndetit publik, rreziku i përhapjes në Shqipëri është shumë i ulët, megjithatë virusi konsiderohet ndër 10 më të rrezikshmit në botë. Burimi kryesor i infektimit janë lakuriqët e natës, ndërsa transmetimi mund të ndodhë edhe përmes kafshëve ose kontaktit të ngushtë mes njerëzve.
Ekspertët shpjegojnë se infektimi mund të vijë nga sekrecionet e lakuriqëve të natës, konsumimi i produkteve të kontaminuara si hurmat e palmës, kujdesi për kafshë të infektuara, si edhe përmes spërklave në kontakt të afërt njeri-njeri.
Sëmundja fillon me simptoma si temperaturë e lartë, vështirësi në frymëmarrje dhe përkeqësohet shpejt, duke prekur sistemin nervor dhe shkaktuar encefalit akut. Në disa raste, komplikacionet neurologjike mund të shfaqen edhe muaj pas kalimit të infeksionit.
Autoritetet shëndetësore theksojnë se nuk ka vend për panik, pasi virusi nuk transmetohet në ajër. Megjithatë, këshillohet kujdes i shtuar për personat që udhëtojnë drejt vendeve si India, Bangladeshi apo Singapori, duke respektuar masat bazë të sigurisë shëndetësore.
