Protestë e dhunshme në Milano kundër Olimpiadës, policia ndërhyn me topa uji

Data

Rreth 5 mijë qytetarë kanë protestuar në Milano kundër zhvillimit të Lojërave Olimpike Dimërore, ndërsa ceremonia hapëse u mbajt të enjten. Demonstrata u përshkallëzua shpejt në përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe forcave të rendit.

Sipas mediave italiane, protestuesit qëlluan me fishekzjarre dhe shishe drejt furgonëve të policisë, ndërsa forcat e rendit u kundërpërgjigjën me topa uji dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën. Raportohet gjithashtu për një incident me armë zjarri ndaj policisë, por autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje zyrtare.

Një grup demonstruesish, të maskuar me kapuçë dhe helmeta, marshoi drejt unazës lindore të qytetit duke hedhur bomba tymi dhe fishekzjarre. Situata u tensionua veçanërisht në zonën Corvetto, ku pas përplasjeve të forta u shoqëruan në komisariat pesë persona.

Protestuesit akuzojnë autoritetet për dëmtime mjedisore, veçanërisht prerjen e pemëve dhe ndërhyrjet urbane në zonat ku do të zhvillohen garat olimpike. Marshimi vijoi në disa rrugë kryesore të qytetit, mes thirrjeve kundër qeverisë dhe organizatorëve të Lojërave.

Policia mbeti në gatishmëri të lartë gjatë gjithë mbrëmjes, ndërsa situata u vu gradualisht nën kontroll pas ndërhyrjeve të përsëritura të forcave të sigurisë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related