Spanja dhe Portugalia po përballen me një valë të re moti ekstrem, pasi stuhia e quajtur “Marta” ka prekur gadishullin Iberik, duke përkeqësuar situatën në zona që tashmë ishin goditur nga përmbytje të rënda.
Autoritetet meteorologjike kanë paralajmëruar reshje intensive shiu, erëra të forta dhe rrezik të lartë për përmbytje, vetëm pak ditë pas stuhisë së mëparshme “Leonardo”. Reshjet rekord kanë shkaktuar viktima në të dy vendet, ndërsa në jug të Spanjës është gjetur një trup që dyshohet se i përket një gruaje të zhdukur prej disa ditësh.
Qindra rrugë janë bllokuar, linja hekurudhore janë ndërprerë dhe dhjetëra familje janë evakuuar nga banesat e përmbytura. Në Portugali, autoritetet kanë mobilizuar mbi 26 mijë punonjës të emergjencës për të përballuar situatën, ndërsa disa komuna kanë shtyrë procesin zgjedhor për shkak të kushteve të rënda atmosferike.
Shërbimet e emergjencës vijojnë të jenë në gatishmëri të lartë, ndërsa pritet që stuhia “Marta” të sjellë ndikime të tjera gjatë orëve në vijim.
