Prokuroria e Tiranës ka kërkuar pushimin e çështjes penale ndaj avokatit Ulian Bajrami, i cili u arrestua në tetor të vitit 2025 pas një përplasjeje verbale në sallën e gjyqit në Elbasan me prokurorin Gjergji Ceka.
Ndaj avokatit ishte regjistruar procedim penal për veprat “Kanosje për shkak të detyrës”, “Kundërshtim dhe goditje e gjyqtarit” si dhe “Kanosje e gjyqtarit”, por pas hetimeve, organi i akuzës ka vlerësuar se nuk janë gjetur prova që të vërtetojnë konsumimin e këtyre veprave penale.
Sipas Prokurorisë, deklaratat e përdorura nga avokati gjatë debatit në sallën e gjyqit nuk përbëjnë elementë të veprës penale të kanosjes dhe nuk kanë krijuar rrezik real apo konkret për ushtrimin e funksionit publik të prokurorit.
Ulian Bajrami u arrestua më 18 tetor 2025 nga oficerët e Policisë Gjyqësore, pas pretendimeve se gjatë seancës gjyqësore kishte kërcënuar prokurorin me shprehjen “do të merrem personalisht me ty”. Dy ditë më vonë, më 20 tetor, ai u lirua nga qelia.
Arrestimi i avokatit shkaktoi reagime të forta në komunitetin juridik, duke sjellë edhe bojkotimin e seancave gjyqësore për pesë ditë nga Dhoma e Avokatisë, në shenjë proteste ndaj mënyrës së ndalimit dhe trajtimit të tij.
Tashmë, me kërkesën për pushimin e çështjes, pritet që gjykata të vendosë përfundimisht mbi fatin e procedimit penal ndaj avokatit Bajrami.
