Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen e Belinda Ballukut, duke akuzuar mazhorancën se është kthyer në një mburojë politike për ish-zv/kryeministren e akuzuar për korrupsion.
Tabaku thekson se për tetë javë me radhë qeveria ka refuzuar të zbatojë vendimin e Gjykatës së Posaçme për pezullimin nga detyra të Ballukut, duke lejuar që ajo të vijonte ushtrimin e funksioneve publike në kundërshtim me ligjin. Sipas saj, kjo situatë i ka dhënë mundësi një zyrtareje të akuzuar të ndikojë prova dhe të ushtrojë pushtet që ligji ia ndalon.
Ajo nënvizon se vendimi i Gjykatës Kushtetuese, edhe pse pa shumicë votash, i heq çdo justifikim politik dhe moral Parlamentit për të mos vepruar më tej. Tabaku kërkon që Kuvendi të mos e bllokojë më kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit dhe të lejojë drejtësinë të ndjekë procedurat ligjore.
“Ligji është shkelur me vetëdije për javë të tëra. Nuk ka më asnjë justifikim”, shprehet Tabaku, duke shtuar se dëmi ndaj hetimeve mund të jetë tashmë i pakthyeshëm.
Në reagimin e saj, ajo vlerëson edhe katër gjyqtarët kushtetues që nuk u tërhoqën nga qëndrimi i tyre, ndërsa thekson se qeveria ka humbur legjitimitetin moral për të qeverisur.
