Zbulime të reja që lidhin ish-emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Miroslav Lajçák, me komunikime të mëparshme me financierin e diskredituar Jeffrey Epstein, kanë rihapur një debat të fortë politik dhe moral mbi legjitimitetin e procesit të dialogut.
Skandali u pasua nga largimi i Lajçakut nga detyra e këshilltarit të kryeministrit sllovak Robert Fico, duke shtuar dyshimet se pasojat e mandatit të tij si ndërmjetës vazhdojnë të rëndojnë mbi dialogun, edhe pse ai nuk është më pjesë e tij që prej vitit 2024.
Sipas Günther Fehlinger, kryetar i Komitetit Austriak për Zgjerimin e NATO-s, këto zhvillime nuk janë thjesht personale, por hedhin hije të rënda mbi gjithë arkitekturën politike që e ka udhëhequr dialogun ndër vite. Ai e cilëson procesin si të bllokuar, të diskredituar moralisht dhe të tejkaluar strategjikisht, duke shtuar se zbulimet e fundit ngrenë pyetje serioze mbi rrjetet politike dhe standardet etike që e kanë formësuar ndërmjetësimin.
Fehlinger thekson se dialogu nuk ka qenë kurrë neutral, pasi është drejtuar nga përfaqësues të vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën dhe që, sipas tij, kanë treguar tolerancë ndaj Serbisë, duke mbyllur sytë ndaj refuzimit të marrëveshjeve, afrimit me Rusinë dhe shkeljeve të vazhdueshme. Ndërkohë, Kosova është përballur me presion dhe masa ndëshkuese, edhe kur ka zbatuar obligimet e saj.
Në këtë kuadër, Marrëveshja e Ohrit përshkruhet si simbol i dështimit: Serbia e ka injoruar, Bashkimi Evropian e ka zbatuar në mënyrë selektive, ndërsa Kosova është fajësuar padrejtësisht për mungesë progresi.
Sipas Fehlinger, kapitulli aktual i dialogut duhet të mbyllet përfundimisht dhe Kosova të orientohet drejt një qasjeje të re strategjike, të bazuar në aleanca të qarta perëndimore dhe jo në procese të konsumuara politikisht, të cilat kanë humbur besueshmërinë dhe autoritetin moral.
